DOBITE E DITURISE


Related image


                                                   DOBITE E DITURISE

Hatem el-Esam ishte prej nxënësve të Shekik el-Belhij dhe mësuesi e pyeti atë një ditë: “Më ke shoqëruar mua prej 30 viteve, më thuaj çfarë ke arritur të mësosh gjatë kësaj kohe?”
Iu përgjigj: “Arrita të mbledh tetë dobi prej diturisë dhe ato më mjaftojnë mua. Shpresoj pastrimin dhe shpëtimin tim nëpërmjet tyre.” Mësuesi i kërkoi t’ia tregonte se cilat ishin ato dobi.
Dobia e parë
Unë i shikova krijesat dhe secila prej tyre kishte dikë që e donte fort dhe marrosej për të. Disa prej këtyre të dashurve i shoqëronin ata deri te sëmundja e vdekjes, disa deri te dera e varrit, më pas ktheheshin, e linin atë të vetëm dhe askush prej tyre nuk futej në varr bashkë me të. Mendova dhe thashë: I dashuri më i mirë i njeriut është ai që futet bashkë me të në varr dhe qëndron bashkë me të atje. Dhe për këtë nuk gjeta veçse punët e mira. I bëra ato të dashurat e mia, që të më bëheshin dritë në varr, të më qëndronin pranë dhe të mos më braktisnin kurrë.
Dobia e dytë
Unë i pashë krijesat të pasonin dëshirat e tyre dhe të vraponin pas kërkesave të  veteve të tyre, më pas meditova fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. (Naziat, 79/40,41)   E kuptova qartë se Kurani është i saktë dhe i vërtetë. Kështu shpejtova në kundërshtimin e egos time, i vendosur për përpjekjen kundra saj dhe nuk e gëzova duke ndjekur dëshirat e saj, derisa u kënaqa me bindjen ndaj Allahut dhe kështu ajo mu nënshtrua mua.
Dobia e tretë
Unë i pashë të gjithë njerëzit duke vrapuar në grumbullimin e pasurisë së kësaj bote dhe më pas bëhej dorështrënguar në dhurimin e saj. Mendova rreth fjalës së Allahut: “Gjithçka që keni ju, është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu, është e përhershme”. (Nahl, 16/96). Kështu unë shpenzova gjithçka që kisha mbledhur në këtë botë për kënaqësinë e Allahut. E ndava atë me nevojtarët që të më kthehej mua në pasuri tek Allahu i Lartësuar.
Dobia e katërt
Pashë disa nga krijesat që mendonin se nderi dhe krenaria ishte në shumicën e njerëzve, farefisit dhe kështu e kaluan kufirin në të. Disa të tjerë pretenduan se ato gjendeshin në shumicën e pasurisë dhe fëmijëve dhe kështu e krenuan me ato. Disa prej tyre menduan se këto cilësi gjendeshin në rrëmbimin e pasurisë së njerëzve, padrejtësinë dhe derdhjen e gjakut të tyre. Një grup thanë se ato të dyja ishin në harxhimin dhe shpërdorimin e pasurisë. Kështu unë mendova rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij”. (Huxhurat, 49/13). Përzgjodha devotshmërinë dhe u binda se Kurani është i saktë dhe i vërtetë, ndërsa mendimi dhe pretendimi i tyre ishte i gjithi i gabuar dhe i pabazë.
Dobia e pestë
Unë i pashë njerëzit teksa nënçmonin njëri-tjetrin, përgojonin njëri-tjetrin dhe rrënja e të gjithë kësaj ishte prej zilisë në pasuri, post dhe dije. Meditova rreth fjalës së Allahut: “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë”. (Zuhruf, 43/32). Mësova se caktimi ishte prej Allahut që nga pafillimësia, kështu nuk kisha zili ndaj askujt dhe u kënaqa me pjesën, që më kishte caktuar mua Allahu i Madhëruar.
Dobia e gjashtë
I pashë njerëzit sesi armiqësoheshin me njëri-tjetrin për arsye dhe qëllime të ndryshme. Mendova thellë rreth fjalës së Allahut: “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni atë si armik!” (Fatir, 35/6). Mësova se nuk vlente armiqësia ndaj askujt, përveç shejtanit.
Dobia e shtatë
I pashë të gjitha krijesat sesi vraponin me seriozitet, punonin fort në kërkimin e ushqimit dhe jetesës, duke rënë kështu në atë që ishte e dyshimtë dhe e ndaluar, duke poshtëruar veten dhe dinjitetin e tij. Mendova rreth fjalës së Allahut: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij”. (Hud, 11/6) Mësova se furnizimin tim e kishte marrë për detyrë dhe e kishte garantuar Allahu, kështu u angazhova me adhurimin e Tij dhe e shkëputa shpresën ndaj çdo gjëje, përveç Tij.
Dobia e tetë
I pashë të gjithë sesi i mbështeteshin te gjërat e krijuara, disa prej tyre mbi dinarin, dirhemin, disa të tjerë mbi mallin dhe pasurinë dhe disa të tjerë mbi shkathtësinë dhe zanatin. Kështu unë meditova rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Talak, 65/3)
Shekik el-Belhi i tha: “Allahu të dhëntë ty sukses. Unë kam lexuar Teuratin, Inxhilin, Zeburin dhe Kuranin. Pashë se të katër librat e shenjtë silleshin rreth këtyre tetë dobive. Kush punon me to ka punuar me të katër librat e shenjtë.”
* Nga vepra “Ejjuhel Ueled” i Imam Ebu el-Hâmid Muhamed Gazaliut.
Përktheu: Aorel Senja /vizionislam.com/

Comments

Popular posts from this blog

KUPTIMI I KURANIT DHE EMRAT E TIJ

BARAZIA GJINORE

VIRTYTET E PROFETIT MUHAMED S, A,S