BARAZIA GJINORE

            Image result for BARAZIA GJINORE

                  BARAZIA GJINORE

 “I barabartë” do të thotë të mos ketë dallime mes njerëzve, ose ndryshe të jesh një në natyrë, tipare, vlera dhe dimensione. “Barazi” do të thotë të mos ketë asnjë dallim mes njerëzve në çështjen e të drejtave.
Cila është pozita e gruas në krahasim me burrin në bazë të këtyre përkufizimeve?
a) Dallimi në natyre
Allahu i Madhëruar çdo gjë në univers e ka krijuar çift. Por është e pamundur të themi se të gjithë elementët e çifteve janë të barabartë me njëri-tjetrin në të gjithë aspektet.
وَمِن كُلِّ شَيْءٍ خَلَقْنَا زَوْجَيْنِ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ
“Çdo gjë e kemi krijuar çift (mashkull dhe femër) në mënyrë që të nxirrni mësim”.(Dharijat, 51/49)
Duke nisur nga bimët, kafshët e deri tek njeriu, çdo gjë është krijuar çift dhe është nevojtar ndaj tjetrit. Pozitivi ka nevojë për negativin, elektroni për protonin, nata për ditën, dimri për verën, qielli për sipërfaqen e tokës, mashkulli për femrën dhe anasjelltas. Ndërkohë që mund të ketë edhe shumë çifte të tjerë, të cilët shkenca do t’na e bëjë të mundur që t’i njohim në të ardhmen.
Kështu, nga të gjithë këta çifte kanë lindur unitete. D.m.th., çdo çift ka formuar një unitet. Porse elektroni nuk është i barabartë me elektronin, pozitivi nuk është i barabartë me negativin. Po kështu, as femra nuk mund të jetë e barabartë me mashkullin. Këto janë rregullat e pandryshueshëm të natyrës. Sepse çdo gjë tjetër veç Allahut është i mangët dhe ka nevojë për diçka/dikë tjetër, në mënyrë që të mundësojë ekzistencën e vetë. Nisur nga kjo, mashkulli dhe femra, që nga natyra janë të mangët dhe kanë nevojë për njëri-tjetrin, do të plotësojnë njëri-tjetrin dhe do të formojnë një unitet.
Prandaj mashkulli dhe femra nuk janë të barabartë. Përkundrazi, duke qenë ndryshe plotësojnë njëri-tjetrin. Profeti ynë i nderuar (s.a.s) e shpreh kështu këtë të vërtetë të madhe: إِنَّمَا النِّسَاءُ شَقَائِقُ الرِّجَالِ “Gruaja është gjysma plotësuese e mashkullit”.
Fjala “shakîk”, që kalon në hadith, ka kuptimin e pjesës së një njësie të ndarë fiks në dysh. Domethënë, secila nga dy pjesët, që formojnë një njësi të vetme, është “shakîk”u i tjetrit. Nisur nga kjo, nga këndvështrimi i të qenit njeri, mashkulli dhe femra janë dy gjysma të barabarta. Por kurrë s’kanë për të qenë të njëjtë me njëri-tjetrin. D.m.th., natyra, aspekti i tyre shpirtëror dhe ai psikologjik janë krejtësisht të ndryshëm. Femra s’ka për të qenë kurrë e barabartë me mashkullin nga natyra dhe dimensioni shpirtëror. As mashkulli s’ka për të qenë kurrë i barabartë me femrën nga këto aspekte. Mashkulli nuk është versioni fizikisht më i zhvilluar i femrës dhe as femra nuk është versioni fizikisht më pak i zhvilluar i mashkullit. Përderisa njeriu s’ka për të ndërhyrë dot në ndryshimin e gjinisë, çdokush që beson apo që s’beson, duhet të heqë dorë nga ëndrrat dhe ta pranojë mashkullin si mashkull dhe femrën si femër.
Ndërkohë, nuk duhet harruar edhe fakti, që ne e kemi të pamundur të flasim edhe për një barazi totale mes njerëzve të të njëjtës gjini. Të përpiqesh për të realizuar diçka të tillë, do të thotë të përpiqesh që të ndryshosh rregullat e natyrës njerëzore, përpjekje këto të shkuara qartësisht dëm. Allahu i ka dhënë gjithsecilit dhe gjithçkaje formën e duhur. Në Kuran thuhet: “Krijoi çdo gjë në një formë të caktuar dhe i rrëfeu rrugën e drejtë”.(A’lâ, 87/3) E ka krijuar si mashkullin, edhe femrën, në formën e përsosur.
b) Detyra të ndryshme
Nëse mashkulli dhe femra janë të ndryshëm në krijim, është krejtësisht normale që edhe detyrat e tyre të janë të ndryshme. Nëse kërkojmë prej femrës detyrat e mashkullit, do të ishte një padrejtësi. Sepse është më se e qartë se aspekti fiziologjik, biologjik dhe shpirtëror i femrës është tepër ndryshe nga ato të mashkullit.
Duke qenë se nga krijimi ka dallime mes mashkullit dhe femrës, është shumë e natyrshme që edhe mes të drejtave dhe detyrave të tyre të ketë dallime. P.sh.: fizikisht mashkulli është më i fuqishëm sesa femra. Në këtë pikë, është shumë e vështirë që femra të bëjë punën e mashkullit. Por kjo situatë nuk është aspak një mangësi për femrën. Nga ky këndvështrim, femra në krahasim me mashkullin është më e dhembshur, më e mëshirshme, më delikate dhe më e ndjeshme. Në këto pika, mashkulli nuk mund të matet me femrën. Secila gjini është pajisur me aftësitë që kërkojnë detyrat e tyre. Kjo është drejtësia e vërtetë. Prandaj mënyra më e përshtatshme për të vlerësuar mashkullin dhe femrën është që t’i trajtosh ata veç e veç, brenda gjinisë së secilit prej tyre, dhe jo në këndvështrim të barazisë absolute.
Femra ka disa detyra dhe të drejta sipas krijimit dhe aftësive të saj. Nëse ajo jeton dhe aktivizohet duke pasur parasysh këto tipare atëherë do të jetë më e frytshme dhe do të përftojë rezultate më të mira.
Brezat lindin nga gruaja dhe edukohen prej saj. Njerëzimit i përftohen individë të mirë e të dobishëm me dorën e begatë të gruas. Sidomos pajisja e gruas me ndjenjën e dhembshuria është një dhunti e veçantë në çështjen e edukimit të brezave. Nga ky aspekt, ndër të gjithë pjesëtarët e familjes, femra meriton respektin maksimal. Ajo është edukatorja, mësuesja, drejtuesja dhe burimi i qetësisë së shtëpisë. Mashkulli gjen qetësi tek ajo. Fëmija lind në krahët e saj plot dhembshuri. Kështu ai rritet me ndjenja, me dhembshuri dhe me një mendim solid. Nëse ajo ka arritur të jetojë me nder, atëherë edhe fëmijët e saj shpëtojnë nga degjenerimi dhe prapambetja.
Çdo gjë që asaj mund t’i premtojnë disa persona nën petkun e barazisë, do të ishin tepër të zbehta në krahasim me tiparet dhe aftësitë e larta që Allahu i ka dhuruar. T’i japësh asaj të drejtat dhe vlerësimet që i pretohen në emër të barazisë, është njësoj sikur një personi, që ka të varura në qafë dhjetëra medalje ari, t’i varësh dhjetëra medalje bakri. Kjo do të ishte një situatë qesharake dhe një vlerësim tepër i dobët.
Po, Allahu i ka dhuruar gruas një veshje aq të bukur, saqë çdo lloj veshjeje tjetër do të dukej si një thes, do të ishte sikur t’i vendosje një samar. Ndoshta dora e njeriut, e cila shpeshherë nuk ia ka dhënë gruas pozicionin e saj të merituar, duke i bërë padrejtësi të ndryshme në krah të kundërt, ka bërë që të duket sikur Islami nuk i ka kushtuar asaj kurrfarë respekti. Por ne nuk duhet të ngatërrojmë qasjet kulturore të popujve të ndryshëm me qasjen e ideale të Islamit karshi tipareve, rolit dhe të drejtave të gruas.
Allahu i Madhëruar i ka dhënë çdokujt dhe çdo gjëje atë që meriton. Duke bërë këtë nuk ka shndërruar askënd në dordolec dhe nuk i ka vënë në pozita qesharake. Çdo “e drejtë” tjetër, që t’i japin asaj do të ishte thjesht një peshë për gruan dhe një padrejtësi karshi saj.
Nëse gruaja do të bëjë një punë, atëherë ajo duhet të jetë në përputhje me fiziologjinë, psikologjinë dhe aspektin e saj shpirtëror. T’i ngarkosh gruas punë, që ajo s’mund t’i kryejë apo që e nxjerrin atë nga natyra e saj, s’ka aspak lidhje as me barazinë dhe as me qasjen njerëzore. Përkundrazi, kjo do të bënte që gruas t’i mohoheshin shumë të drejta.
Sa bukur dhe në mënyrë goditëse e shpreh këtë fakt hadithi profetik në vijim:
“Kur pronari i vuri lopës kular, ajo u kthye dhe i tha: Unë nuk jam krijuar për këtë punë.”D.m.th., për këtë punë është krijuar kau.
Në mbyllje mund të themi që çdo gjë është krijuar me një qëllim të caktuar. Është e nevojshme që gjithsecila prej tyre të përdoret sipas qëllimit dhe aftësive përkatëse, në mënyrë që të ndërtohet drejtësia e vërtetë.
Përgatiti dhe përshtati: Elton Karaj /vizionislam.com/

Comments

Popular posts from this blog

KUPTIMI I KURANIT DHE EMRAT E TIJ

VIRTYTET E PROFETIT MUHAMED S, A,S